Basha: Kandidatët i zgjedh anëtarësia. Selami: Basha të ikte

17/07/2017

Lulzim Basha u premtoi demokratëve se do të jenë ata që do të marrin vendimet më të rëndësishme për Partinë Demokratike, përfshirë edhe kandidatët për deputetë në të ardhmen.

“Ashtu siç e thashë kur dorëzova listën për deputetë, se kjo duhet të jetë hera e fundit që kryetari i PD, në bindjen time, dorëzon një listë të tillë. Tashmë, për të gjitha vendimarrjet e rëndësishme ne duhet të aplikojmë parimin më demokratik, për të kaluar në parimin një anëtar, një votë për zgjedhjen e çdokujt që do të mbajë peshën e përfaqësimit të demokratëve dhe të Partisë Demokratike”, deklaroi Basha.

Por kandidati tjetër, Eduard Selami shfaqi një mosbesim të hapur tek Lulzim Basha.

“Diferenca më e madhe është mes “të thënës” dhe “të bërit”. Kur e dëgjon zotin Basha, shpeshherë thua “lum si unë”, por kur e shikon në PD thua “mjerë ne”. E them këtë sepse ato çka tha dhe premtoi para nesh, nuk i zbatoi”, deklaroi Selami.

Eduard Selami, i cili mendon se Basha duhet të kishte dhënë dorëheqjen, e përshkroi veten si një mundësi për bashkimin e demokratëve.

“Nëse vërtet doni bashkimin, më votoni mua dhe të bashkuar jemi. Unë shoh një mundësi reale që së bashku do të firmosim një kontratë, sepse ky model që unë ofroj është një model bashkëkohor dhe i provuar dhe nuk ka asnjë rast në historinë time publike që kam thënë diçka dhe nuk e kam bërë”, thotë Selami.

Por edhe Lulzim Basha duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet.

“Vij t’ju kërkoj që të vazhdoj sakrificën time dhe nderin që të vazhdoj të kryesoj këtë betejë me ju, për ju, për demokratët e Beratit, të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm që janë gati të na bashkohen në një luftë, jo për kolltuqe dhe privilegje, por për ndryshim, që ka dhe mund të ketë vetëm një përfundim; fitorja e vlerave”, deklaron Basha.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.