25 vite nga masakra e Dubravës! Pushkatimi i 117 të burgosurve kosovarë nga serbët, drejtësia ende nuk ka folur

22/05/2024 19:54

Aty ku sot janë të gdhendur emrat e qindra shqiptarëve të burgosur politik, 25 vjet më parë ishin vet ata të mbledhur nën tytat e armëve të gardianëve e policisë serbe.

Bombardimet e NATO-s mbi Burgun e Dubravës më 19 dhe 21 maj u shfrytëzua nga serbët të të vrarë akoma më shumë shqiptarë.

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bedri Kukalaj, në atë kohë po vuante dënimin në Dubravë pas transferimit nga burgu i Pozharecit të Serbisë në prill të vitit 1999. E gjitha ishte një plan sipas Kukalajt.

Drejtori i Burgut, Aleksandër Rakoqeviq, Aca, edhe na ka dhënë urdhër se nuk ka më këtu vendqëndrim, ishim 950 të burgosur shqiptarë. Na dha urdhër që të gjithë të rreshtohemi te rruga këtu, rresht për një dy tre katër. Nga kjo pikë këtu ka qenë gardiani me një armë të rëndë, kallashnikov dhe na përcjelltë dhe ka qenë plani që nga ky muri të bëhet pushkatimi.”

22 majin e ’99-ës, ish-ushtari i UÇK-së, i dënuar për terrorizëm nga Serbia, e kujton fare mirë rreshtimin për pushkatim.

“Kur janë bo tre sekonda, nuk kam ditë, kanë fluturuar nga ky muri këtu bomba të dorës, edhe gjithçka është bërë zi. Menjëherë kallashnikovët janë vendosë mbi mur, mund të them se ishin mbi 100 dhe aty s’kemi ditë se cka po ndodhë, e kemi ditë vetëm që po pushkatohemi.”

Fatin e njëjtë me të e kishte edhe Ibrahim Gashi që mbanë me vete në kraharor një cope granate, si dëshmi të përhershme të masakrës në Burgun e Dubravës.

“I vdekuri ka ra mbi të gjallin, aty jam plagosë unë, kam marr një plagë në kraharor, edhe sot e kësaj dite e kam. Jemi çu, kur kemi nis të shpërndahemi, në të gjitha vrojtoret kanë qenë snajperistët, kënd e kanë pa duke lëvizë i kanë vra.”

Një ditë pas, të mbijetuarit u kthyen për të marrë të plagosurit e për të numëruar të vdekurit.

“Kam ardhë unë me i gjetë shoktë e mi, i kam gjetë disa, ishte i plagosur rëndë, nuk mund t’i ndihmoja. Ka qenë një djalë i ri, Abaz emrin, Abaz Beqiri, i kam thënë shko thirri dy tre persona merreni një të plagosur dhe sillne poshtë.”

Drejtësia vazhdon të mungojë për 117 të vrarët e mbi 300 të plagosurit. Përkundër padive e hetimeve për masakrën në Burgun e Dubravës, nga ku u zhduk edhe veprimtari Ukshin Hoti ende nuk është dënuar askush.

Top Channel