Rregullore për procedurat dhe trajtimin e ankesave

Neni 1
Objekti i rregullores

Kjo rregullore ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe procedurat, si dhe trajtimin e shqyrtimin e ankesave të depozituara në adresë të shoqërisë Top Channel, në lidhje me pretendimet e çdo personi/individi mbi programet e transmetuara nga Top Channel, në lidhje me cilësinë dhe natyrën e shërbimit të ofruar.

Neni 2
Baza ligjore

Kjo rregullore miratohet në zbatim të nenit 51, të Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe rregullores së AMA-s “Mbi procedurat për shqyrtimin e ankesave nga Këshilli i Ankesave dhe të drejtën e përgjigjes”. Udhëzimi i AMA-s “Mbi procedurat e trajtimit të ankesave nga Ofruesit e Shërbimit Mediatik (OSHMA)”; “Rregullore mbi procedurat për trajtimin e ankesave dhe për ushtrimin e së drejtës së përgjigjes” miratuar me vendimin e AMA, me nr.181, datë 11.09.2017.

Neni 3
Depozitimi i ankesës

Çdo person/individ i interesuar, mund të paraqesë pranë Top Channel një ankesë ku pretendon se nga ana e Top Channel nuk janë përmbushur detyrimet ligjore, apo nuk janë zbatuar kushtet e nenit 33, të Ligjit nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Neni 4
Forma e ankesës

  1. Ankesa paraqitet në format e mëposhtme:
    1. Në formë shkresore, duke e depozituar në zyrën e protokollit të shoqërisë Top Channel në adresën: rruga “17 Nentori”, godina nr.20, fushë-mëzez, Kashar, Tiranë, Shqipëri;
    2. Në rrugë elektronike në adresën: [email protected];
  2. Ankesa duhet të paraqitet jo më vonë se 30 ditë nga data e transmetimit, ose kur në rastin e dy ose më shumë transmetimeve të lidhura me njëra-tjetrën, nga data e transmetimit të fundit.
  3. Ankesa duhet të përmbajë:
    1. gjeneralitetet e plota (emër, mbiemër) dhe kopje të dokumentit të identifikimit të ankuesit;
    2. adresën e ankuesit;
    3. emrin e emisionit / programit për të cilin bëhet ankesa;
    4. informacion mbi dëmin e shkaktuar (nëse ka ndonjë të tillë);
    5. arsyet e ankesës;
    6. çdo dokument tjetër që vlerësohet i rëndësishëm nga ankuesi në shërbim të qëllimit të ankesës.

Neni 5
Shqyrtimi i ankesës

  1. Top Channel, pas marrjes së ankesës, verifikon përmbushjen e kërkesave të përcaktuara në nenet 3 dhe 4 të kësaj rregulloreje. Në rast se ankesa nuk plotëson këto kërkesa, apo elemente të caktuara të përmendura këtu, i kthehet për plotësim ankuesit. Kërkesat anonime nuk merren në konsideratë dhe nuk shqyrtohen nga Top Channel.
  2. Top Channel nuk merr në shqyrtim ankesat për çështje të cilat janë njëkohësisht në shqyrtim gjyqësor nga Gjykata, apo për të cilat është dhënë një vendim gjyqësor i formës së prerë.
  3. Nëse gjatë shqyrtimit të ankesës, Top Channel konstaton se çështja për të cilën është paraqitur ankesë, është njëkohësisht edhe në shqyrtim nga organet e prokurorisë, e ndërpret menjëherë shqyrtimin.

Neni 6
Procedurat dhe afatet e shqyrtimit të ankesës

  1. Gjatë shqyrtimit të ankesës, Top Channel mund të kryejë rast pas rasti, një ose të gjitha veprimet e mëposhtme:
    1. mund të kërkojë informacion shtesë nga ankuesi, të cilin (ankuesi) duhet ta depozitojë në Top Channel brenda 5 ditëve kalendarike nga data e marrjes në dijeni;
    2. për qëllime të sqarimit të rrethanave për çështjen e ankuar, Top Channel mund të organizojë takime të përbashkëta me ankuesin;
    3. Top Channel mund të kryejë kryesisht verifikimet përkatëse pranë departamentit, apo arkivit artistik të tij;
  2. Pas përfundimit të shqyrtimit të ankesës, nëse konstaton që emisioni/programi nuk ka zbatuar kërkesat e përcaktuara në ligj, Top Channel merr masat e nevojshme për çështjen e ankuar duke vënë në dijeni dhe ankuesin.
  3. Top Channel shqyrton ankesën dhe njofton ankuesin brenda 15 ditëve kalendarike nga data e depozitimit të ankesës.

Neni 7
Ruajtja e konfidencialitetit

Informacioni dhe dokumentacioni i marrë nga Top Channel për çështjen në shqyrtim, përdoret vetëm për qëllimet për të cilat është dhënë informacioni. Për sa i përket trajtimit të ankesave në bazë të kësaj rregulloreje, Top Channel zbaton tërësisht dispozitat e ligjit nr.124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. 

Neni 8
Struktura përgjegjëse

Shqyrtimi i ankesave të depozituara në Top Channel lidhur me pretendimet e ankuesit bëhet nga Departamenti i Programacionit ose Njësia / Departamenti të cilit i drejtohet ankesa. Zyra e Arkivës / Protokollit mban në një regjistër të veçantë të dhënat mbi ankesat e depozituara duke evidentuar trajtimin dhe zgjidhjen e tyre.

Hyrja në fuqi

Kjo rregullore hyn në fuqi menjëherë në datën e nënshkrimit të saj me datë 18/09/2026.