Inside Story/ ‘Më qëllo nëse dal me duar të lidhura’, misioni i agjentit ‘kortinik’ që depërtoi në skutën e agjentëve serbë

22/05/2024 21:49

Ishte viti 1952, në krahinën e Lumës në Kukës vepronte një bandë e quajtur diversioniste. Ajo operonte për llogari të zbulimit jugosllav. Krehu i bandës ishte një banor i fshatit Topojan me iniciale U.B. Ai duhej të ndalohej me çdo kusht sipas misionit të sigurimit.

Detyrua iu caktua kundër zbuluesit Asllan. M. Ai e njihte mirë subjektin “tradhtar” pasi kishin qenë shokë fëmijërie. Madje kundërzbuluesi Asllan. M, vazhdonte të mbante lidhje me nënën e shokut të tij. Duke luajtur me këtë fakt emocional, i kërkoi nënës së “urithit jugosllav” që kur të vinte në shtëpi t’i përcillte dëshirën për t’u takuar me të.

Pas dy javësh, duke ngjitur monopatin e fshatit Topojan, një person i panjohur i del përpara dhe i jep mesazhin e prerë të U.B., kreut të bandës që i shërbente jugosllavëve.

“Për një orë të jesh te guva e Ariut”. Asllani, kundëzbuluesi u kap i papërgatitur. Nuk kishte mundësi të njoftonte degën dhe nëse nuk shkonte në takim do të prishej gjithçka.

‘Simbol i një kundërzbuluesi të talentuar por që sakrifikoi familjen dhe veten për të arritur një emision shumë interesant dhe shumë të bukur. Të fusësh në dorë një bandë diversatësh të rekrutuar nga shërbimi jugosllav prej vitesh është një moment shumë interesant dhe të jepë krenarinë kombëtare’ u shpreh Bujar Hoxha, ish-oficer i Shërbimit Sekret Shtetëror.

Në këto kushte vendosi të vazhdojë i vetëm operacionin. Mori me vete babain e tij dhe i dha një pushkë që mbante me leje. Pa rënë në sy, babai i kundërzbuluesit u vendos përballë “Guvës së Ariut” duke e vënë në dijeni për takimin me të arratisurin. Ai, i la dhe një porosi.

‘Nëse dal nga guva me duar të lidhura, qëllo drejtpërdrejtë’. Më pas me hapa të sigurt dhe i paarmatosur u fut në “Guvën e Ariut”. Pas bisedave të përgjithshme, miku i fëmijërisë i tregoi për arratisjen e tij në Jugosllavi dhe se si ishte rekrutuar me cilësinë e agjentit diversionist. Deri në 1952 ai u kishte shërbyer me besnikëri shërbimit sekret jugosllav. Por pas takimit me kundërzuluesin Asllan M ai do të luante rolin e agjentit të dyfishtë. Sigurimi i Shtetit i dha U.B pseudonimin operativ “Koritniku” që do të mbetej për vite një armë e fortë për zbulim shqiptar.

‘Ai i ndodhur në rastin më të pamundur për të kërkuar ndihmë krijoji një kombinacion inteligjent dhe me besimin absolut se do ta thyente ish shokun e tij të fëmijërisë dhe ashtu u bë’ u shpreh Bujar Hoxha, ish-oficer i Shërbimit Sekret Shtetëror.

Top Channel