Koston fundore të tekave të politikanëve në Kosovë do ta paguajnë qytetarët dhe nuk bëhet fjalë vetëm për kostot logjistike të zhvillimit të procesit të radhës zgjedhor, që autoritetet e përllogarisin diku te 10 milionë euro. Ngërçi i ri rrezikon që të bllokojë sërish financimet që Kosova merr nga partnerët ndërkombëtarë, sidomos nga Bashkimi Europian në kuadër të “Planit të Rritjes”. Vjeshtën e vitit të kaluar, BE përsëriti thirrjet për klasën politike në Prishtinë që të tejkalonte ngërçin e konstituimit të Kuvendit dhe të ratifikohej marrëveshja kuadër për lëvrimin e këtyre fondeve.