Policia e Kosovës ka arrestuar Albert Sylajn, autorin e dyshuar të vrasjes me sëpatë së 49 vjeçares, Arlinda Zekaj në ngjarjen e rëndë që tronditi Pejën dhe mbarë vendin tre ditë më parë. Policia njoftoi shkurtimisht se Albert Sylaj u arrestua në Deçan rreth orës 23:40 minuta. Ngjarja shkaktoi furtunë reagimesh në Kosovë, pas zbulimit se viktima kishte ngritur alarmin te Prokuroria dhe gjykata e Pejës, por nuk kishte marrë ndihmën e nevojshme. Historia e Arlindës përfshin dhunë në familje dhe një betejë të gjatë nga 49-vjeçarja për t’u bashkuar me djalin e saj. Ajo dhe bashkëshorti i saj kishin jetuar rreth dhjetë vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Familja ishte me prejardhje nga Deçani, ndërsa pas rikthimit nga SHBA ishin vendosur në fshatin Vitomiricë të Pejës.