Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt, vijon të jetë në arrati, dy ditë pas krimit. Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë e tij, ku ka sekuestruar një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë, pajisje armësh, tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë. Sylaj është kunati i viktimës. Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për ish-bashkëshortin e Arlindës, Jeton Sylaj, i dyshuar për mospërfillje të vendimit të gjykatës. Sipas Prokurorisë, ndaj tij ishte vendosur urdhri për të mos ushtruar dhunë fizike apo psikologjike ndaj viktimës, për të mos penguar lëvizjen e saj dhe për të mos e ofenduar, shqetësuar apo kërcënuar.