Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar nga Tivati i Malit të Zi, ku po mbahet Samiti BE–Ballkan Perëndimor, se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe se vendi pret trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e integrimit. “Kosova e ka të ardhmen në Bashkimin Evropian. Një BE më e madhe dhe më e bashkuar është përgjigjja më e fortë ndaj atyre që duan të krijojnë paqëndrueshmëri në Evropë”, tha Haxhiu para mediave në Tivat. Ajo theksoi se Kosova ka ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe po punon për avancimin e agjendës së saj evropiane.