Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për qasjen ndaj projektit të gazit amerikan dhe politikave energjetike, duke thënë se kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me orientimin gjeopolitik të vendit dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Përmes një reagimi publik, Hoti ngre tre pyetje që, sipas tij, janë thelbësore për qytetarët dhe politikën në Kosovë. Hoti ngriti pyetjen se pse kryeministri Albin Kurti e ka refuzuar projektin e gazit amerikan në kohën kur vendet e rajonit po përfshihen në këtë projekt strategjik. Ai pyet se pse gjatë gjashtë viteve të qeverisjes nuk janë ndërtuar kapacitete të reja energjetike dhe se kujt I intereson që Kosova të mbetet e varur nga importi i energjisë.