Një refuzim i mundshëm nga Kosova për projektet rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan, vë në rrezik partneritetin e saj me SHBA-të. Ka qenë ky reagimi i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë por edhe i Odës Ekonomike të vet Kosovës. Këto përfaqësi shprehën shqetësim për mungesën e vazhdueshme të konsideratës nga Qeveria në detyrë e Kosovës karshi thirrjeve të Qeverisë amerikane për përfshirjen e vendit në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror. ‘Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës’, u tha në reagimin e Odës Amerikane më 17 qershor. Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna theksoi se kjo marrëveshje shkon përtej gazit, ato ndikojnë në të mirën ekonomike të Kosovës e ndihmojnë në të qenurit të pavarur nga gazi rus.