Top Channel/ “Gjykatësi të mos shpallet dëshmor”! Habit avokati i vrasësit të Kalasë
16/07/2026 20:05

Pas vendimit të Këshillit të Qarkut për miratimin e propozimit për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të gjyqtarit të ndjerë të Apelit, Astrit Kalaja, ka reaguar avokati Kujtim Ibraj, mbrojtës ligjor i të pandehurit Elvis Shkambi, autorit të dyshuar të vrasjes së gjyqtarit brenda sallës së gjyqit në tetor të vitit 2025. Përmes një deklarate të vendosur në dispozicion të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, Ibraj shprehet se ndan dhimbjen për humbjen e gjyqtarit dhe shpreh respekt për figurën e tij, por ngre pretendimin se statusi “Dëshmor i Atdheut” duhet të jepet vetëm në përputhje me kriteret e përcaktuara nga ligji. Sipas avokatit, vlerësimi i figurës së gjyqtarit dhe respekti për detyrën e ushtruar janë çështje të ndryshme nga përmbushja e kushteve ligjore për marrjen e këtij statusi. Astrit Kalaja u vra në tetor 2025 në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, gjatë një seance gjyqësore për një çështje pronësie. Sipas hetimeve, Elvis Shkambi qëlloi me armë ndaj gjyqtarit pasi ky i fundit shpalli vendimin kundër xhaxhait të tij, ndërsa plagosi edhe dy persona të tjerë të përfshirë në proces. Pas ngjarjes së rëndë, Shkambi u dorëzua në polici, ndërsa rasti solli reagime të forta publike dhe ngriti pikëpyetje mbi masat e sigurisë në institucionet e drejtësisë. Në deklaratën e tij, avokati Ibraj thekson se procesi penal ndaj klientit të tij është ende në zhvillim dhe se gjykata nuk ka dhënë ende një vendim përfundimtar. Ai deklaron se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së këtij propozimi dhe çdo akti administrativ që mund të rrjedhë prej tij. Deklarata e plotë: Në cilësinë e avokatit mbrojtës të të pandehurit, ndjej detyrimin profesional dhe etik të reagoj lidhur me vendimin e Këshillit të Qarkut për miratimin e propozimit për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të gjyqtarit të ndjerë. Së pari, dua të shpreh edhe një herë ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit dhe respektin për jetën e humbur në një ngjarje tragjike që ka prekur të gjithë shoqërinë shqiptare. Po aq e rëndësishme është që, në një shtet të së drejtës, emocionet dhe dhimbja kolektive të mos zëvendësojnë zbatimin korrekt të ligjit. Vlerësimi i figurës së një personi dhe respekti për kontributin e tij institucional janë çështje të ndryshme nga përmbushja e kritereve ligjore për dhënien e një statusi të caktuar. Statusi “Dëshmor i Atdheut” nuk mund të mbështetet vetëm mbi ndjenjën e dhimbjes apo rëndësinë e detyrës së ushtruar, por duhet të mbështetet në kushtet dhe kriteret e përcaktuara shprehimisht nga legjislacioni në fuqi. Ngjarja në fjalë lidhet me një konflikt me origjinë civile, i cili kishte zgjatur për shumë vite dhe nuk kishte lidhje me luftën kundër kriminalitetit, terrorizmit, mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues apo situata të tjera që ligji parashikon si bazë për fitimin e këtij statusi. Për këtë arsye, lind detyrimisht pyetja juridike nëse ekziston një bazë ligjore e mjaftueshme që e mbështet këtë propozim. Shteti i së drejtës ndërtohet mbi parimin e legalitetit. Institucionet publike nuk mund të veprojnë përtej kompetencave dhe kritereve që u njeh ligji, sado fisnike të jenë motivet morale apo emocionale. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të theksohet se procedimi penal ndaj klientit tim është ende në zhvillim. Hetimet nuk kanë përfunduar, provat nuk janë administruar në tërësinë e tyre dhe gjykata nuk është shprehur ende me një vendim përfundimtar. Çdo zhvillim institucional që paraprin përfundimin e procesit duhet të trajtohet me kujdes maksimal, në mënyrë që të mos krijohet perceptimi se çështja është paragjykuar. Shoqëria shqiptare ka kaluar prej vitesh plagë të thella për shkak të mosfunksionimit të drejtësisë, vonesave të gjata procedurale dhe mungesës së besimit tek institucionet. Këto plagë nuk shërohen duke zgjeruar me interpretim kategori juridike që ligji nuk i parashikon, por duke respektuar me përpikëri ligjin dhe duke garantuar procese të drejta, të paanshme dhe transparente për çdo qytetar. Respekti për kujtimin e gjyqtarit të ndjerë dhe respekti për ligjin nuk janë koncepte që përjashtojnë njëri-tjetrin. Përkundrazi, nderimi më i madh për institucionet e drejtësisë është që ato të veprojnë gjithmonë brenda kufijve të ligjit. Ligji nr. 109/2018 “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut” përcakton në nenin 2 se qëllimi i tij është njohja ose shpallja me këtë status e personave që kanë dhënë jetën në rrethana të posaçme, të lidhura me mbrojtjen e interesave kombëtare, integritetit territorial, luftën kundër terrorizmit, krimit ndaj jetës së individit, mbrojtjen e pronës publike ose shpëtimin e jetës së njerëzve në situatat e parashikuara nga ligji. Kjo dispozite përcakton qartazi kufijtë brenda të cilëve mund të zbatohet ligji. Paralelisht Neni 5 i ketij ligji parashikon në mënyrë të detajuar dhe shteruese kategoritë e personave që mund të shpallen ose të njihen me statusin “Dëshmor i Atdheut”. Këto nuk janë kritere orientuese, por kushte ligjore të detyrueshme, të cilat duhet të provohen me fakte dhe dokumentacion administrativ. Autoritetet nuk mund t’i zgjerojnë këto kategori përtej rasteve të parashikuara shprehimisht nga ligji por janë të detyruara të zbatojnë ligjin ashtu siç është miratuar nga Kuvendi dhe jo ta zgjerojnë atë përmes interpretimeve që tejkalojnë përmbajtjen e tij. Në rastin konkret, çështja nuk mund të vlerësohet mbi bazën e rëndësisë së funksionit që ushtronte viktima apo mbi ndikimin qe ngjarja ka pasur ne opinionin publik. Respekti për figurën e të ndjerit është i padiskutueshëm, por ai nuk zëvendëson domosdoshmërinë e përmbushjes së kritereve që vete ligji ka vendosur për fitimin e këtij statusi.

Top Channel/ “Ju erdhi fundi”, protestuesi në ditën e 47-të: 3mln jemi në, Zegjine shko të mësosh
16/07 21:01
Top Channel/ E goditën me grushte dhe më thikë, dalin pamjet nga plagosja e 32-vjeçarit në Shkodër
16/07 20:41
Top News- Makina bëhet copash në Elbasan-Librazhd, humb jetën 19-vjeçari
16/07 20:39
Top Channel/ “Shqipëri e re”, protestuesit në bulevard: Rama burg Berisha burg
16/07 20:25
Top Channel/ “Dorëheqje , dorëheqje”, protestuesit marshojnë drejt Kryeministrisë: Ju erdhi fundi
16/07 20:20
Top Channel/ “Gjykatësi të mos shpallet dëshmor”! Habit avokati i vrasësit të Kalasë
16/07 20:05
Top Channel/ Qarku i Kukësit përfshihet nga moti i keq, stuhi dhe rrëshqitje dherash
16/07 19:44
Top Channel/ Braçe votë kundër PS për ligjet e bujqësisë: Ndihmoni fermerët, se do dështoni
16/07 19:43
Top Channel/ “Shpërthen” Rama: Ministrja serbe, çyryke! Deklarata, idiotësi!
16/07 19:36
Top News – Miratohet ligji për tokat bujqësore. Braçe kundër: Nuk janë sanksionuar kufijtë
16/07 19:33
Top News-Kukësi “kapet në befasi” nga moti i keq, shtrëngata e reshje intensive shiu në verilindje
16/07 19:30
Top News – Projekti i ‘Smart City’. Rama: Më shumë siguri në shkolla dhe rrugë
16/07 17:25
Top News – Adoptimi i euros dhe leku digjital, Qeveria përgatitet për të dyja, gati projektligji
16/07 15:30
Top Channel/ Hajdutët shfrytëzojnë verën, në gjashtë muaj 1191 grabitje banesash
16/07 15:22
Top Channel/ Poliklinika e Shkodrës, skenë krimi. Plagoset 32-vjeçari, i vëllai tenton vetëgjyqësi
16/07 15:20
Top Channel/ Tiranë, 20 shkolla me Kamera. “Smart City”, Rama: Përgjigje për tragjedinë që ndodhi
16/07 15:16
Top News-‘Vota e lirë, në themel të PD’/Berisha uron ekipin drejtues: Jeni personalitete të shquara
16/07 15:15
Top News – 5 lek kilogrami i shalqirit. Braçe denoncon në Kuvend: Po abuzojnë grumbulluesit
16/07 14:53
Top Channel/ Smart City, Rama: Historia e makinave që kryejnë krime dhe digjen nuk do ndodhë më
16/07 14:42
Top Channel/ ‘Shpresojmë që brenda vitit gjithë Shqipëria të jetë LIVE’, Rama: Parkimi dhe…
16/07 14:32