Masa të shtuara të sigurisë janë parë të mërkurën mbrëma përreth shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti është kërcënuar dhe për këtë arsye, "si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre. Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse", tha ai, por pa dhënë më shumë hollësi rreth natyrës së kërcënimit. "Kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt”, tha zëdhënësi Kryeziu. Policia nuk komentoi zhvillimet ndërsa mediet vendase thanë se kërcënimi është bërë në rrjetet sociale nga një llogari e paqartë në të cilën "është premtuar një shumë parash për siç thuhet, "vrasjen e kryeministrit Kurti".