Ekonomia gjermane ishte në stanjacion në tremujorin e dytë të vitit 2023, njoftoi të premten Zyra Federale e Statistikave. Megjithatë, pavarësisht mungesës së rritjes, Gjermania ka dalë zyrtarisht nga recesioni në të cilin hyri pas dy tremujorësh radhazi tkurrjeje ekonomike. Shifrat e publikuara nga Zyra tregojnë se ekonomia më e madhe e Evropës pëtjetoi rritje zero nga prilli në qershor në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Në tremujorin e katërt të vitit 2022, prodhimi ekonomik ra me 0.4 për qind dhe në tremujorin e parë 2023 me 0.1 për qind krahasuar me tremujorët e mëparshëm. "Pas rënieve të lehta në dy tremujorët e mëparshëm, ekonomia gjermane u stabilizua në pranverë,” tha Ruth Brand, drejtuese e Zyrës Federale të Statistikave. Eksportet, të rëndësishme për ekonominë gjermane, ranë pak në tremujorin e dytë të 2023. Ekonomia u mbështet nga përmirësimi i konsumit dhe rritja e investimeve. Pas dy rënieve të njëpasnjëshme, shpenzimet e konsumatorëve u rritën me 0.1 për qind në tremujorin e dytë të 2023 krahasuar me tremujorin e parë të 2023.