Kosova e mirëpret çdo nismë që synon përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Europian, por mbetet skeptike ndaj ideve që mund ta mbajnë atë në një status të ndërmjetëm. Në një intervistë për Radion Europa e Lirë, ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca thotë se përfshirja në Tregun e Përbashkët Europian mund të jetë hap përpara, por thekson se nuk ka ende detaje të qarta. “Ne e mirëpresim çdo plan të ri, i cili e ka për synim integrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian... Pozicion i Kosovës është që ne nuk mbështesim kurrfarë propozimi, i cili krijon dhoma të pritjes në BE”, thotë Konjufca.