Greqia njoftoi të dielën se 48 orët e fundit kanë qenë "më të vështirat" e vitit përsa i përket mbërritjeve të emigrantëve, pasi rreth 1000 persona u shpëtuan pranë Kretës, ndërsa qindra të tjerë mbërritën në ishull gjatë fundjavës. Roja bregdetare greke bëri të ditur se të dielën u shpëtuan 190 persona që ndodheshin në tri varka, pasi u pikasën nga dronë të agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian, Frontex, afër Kretës. Ata u dërguan në portet e afërta Kaloi Limene dhe Ierapetra, njoftoi roja bregdetare. Një zyrtar i rojës bregdetare greke tha për agjencinë e lajmeve Reuters se të shtunën, në shumë operacione të veçanta pranë Kretës, u shpëtuan mbi 1000 emigrantë, ndërsa rreth 700 të tjerë mbërritën në brigjet e ishullit. Po atë ditë, në një zonë shkëmbore në ishullin fqinj të Gavdosit, u gjetën trupat e dy emigrantëve. Ministri i Migracionit, Thanos Plevris, deklaroi të dielën për televizionin "Skai" se mbërritjet e emigrantëve gjatë 48 orëve të fundit kanë qenë "më të vështirat" e vitit. Kjo e ka çuar numrin e përgjithshëm të emigrantëve në ishull në rreth 2500, duke tejkaluar kapacitetet e strukturave vendase të pritjes. Pamjet e transmetuara nga mediat vendase tregojnë se qindra emigrantë u transportuan me autobusë drejt portit të Heraklionit, në lindje të ishullit. Meqenëse struktura e përkohshme e pritjes aty ishte e mbushur plot, shumë prej tyre u detyruan të qëndronin jashtë.