Krizat janë bërë sot normaliteti i ri: kriza klimatike, kriza qeveritare, kriza energjetike, lufta në Ukrainë, lufta me Iranin, lufta në Gaza. Në shoqërinë e informacionit, askush nuk mund t'i shmanget më forcës së debateve mbi përgjegjësinë dhe rrugëdaljet. Kësaj i shtohen shqetësimet për rritjen e kostos së jetesës, shpërthimin e qirave, arsimin dhe vendet e punës, si edhe fuqinë në rritje të inteligjencës artificiale. Shkenca e quan poli-krizë këtë perceptim të pandërprerë të krizave: kriza të njëkohshme, pa fund dhe pa kufij, të cilat e forcojnë njëra-tjetrën. Ato prekin shoqëritë evropiane po aq sa Shtetet e Bashkuara, Indinë, Japoninë, Amerikën Latine apo vende si Nigeria. Gjermanët madje krijuan një fjalë të veçantë për të përshkruar ndjenjën e tyre kolektive të jetës: "Krisenmodus" - gjendje krize. Në vitin 2023, ajo u zgjodh "Fjala e Vitit”. Edhe në vitin 2026, gjendja e quajtur "modus i krizës” vazhdon në shumë vende. Dhe kjo ka pasoja: sociologët vërejnë se diçka po ndryshon në shoqëri sa më gjatë që zgjat kjo gjendje. Sipas tyre, po rritet prirja dhe tërheqja ndaj sjelljeve shkatërruese. Javier Milei dhe Elon Musk, me paraqitjet e tyre simbolike me sharrë elektrike në Argjentinë dhe Shtetet e Bashkuara, janë bërë simbole të kësaj prirjeje për shkatërrim. Në Evropë, kjo pasqyrohet në suksesin e partive të ekstremit të djathtë, të cilat premtojnë një ndryshim rrënjësor të politikës. Të gjitha këto forca përhapin idenë se rendi ekzistues është i destinuar të shembet. Një studim i fundit gjerman e analizon këtë prirje drejt shkatërrimit dhe rënies, duke arritur në përfundime domethënëse. "Studimi i Autoritarizmit i Leipzigut 2026" tregon një rritje të dukshme të qëndrimeve të ekstremit të djathtë në shoqëri, si edhe një dëshirë në rritje për ndryshime të thella shoqërore. Me pohimin e autorëve të studimit se "nevojitet diçka radikale që gjendja aktuale të ndryshojë", 60 për qind e të anketuarve ranë dakord haptazi ose në mënyrë të tërthortë. Sipas rezultateve të studimit, kjo shoqërohet me rritje të antisemitizmit në shoqëri, mbështetje më të madhe për prirjet autoritare dhe një tërheqje në rritje ndaj ideve shkatërrimtare.