Dy burra të arrestuar në Serbi, të dyshuar për planifikimin e një akti sabotimi në Gjermani, po qëndrojnë në paraburgim të paktën deri më 9 dhjetor. Ndërkohë, hetuesit gjermanë po verifikojnë nëse ata kanë pasur lidhje me persona të përfshirë në hetimin për tentativën për sulm në aeroportin e Lajpcig/Halle. Danillo B. dhe Sllobodan Gj. u arrestuan më 11 qershor pranë Suboticës, teksa udhëtonin drejt kufirit me Hungarinë. Sipas mediave gjermane, ata dyshohet se vepronin si agjentë rusë “njëpërdorimësh” dhe po planifikonin vendosjen e eksplozivëve në Gjermani. Si objektiv i mundshëm është përmendur një kompani që prodhon ose furnizon pajisje ushtarake për Ukrainën.