Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektbuxhetin për vitin 2027, me vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, pas një seance maratonë me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës që zgjati deri pas mesnatës. Projektbuxheti u votua me 61 vota pro. Buxheti i planifikuar është rreth 300 milionë euro më i lartë se ai fillestar i vitit 2026. Gjatë prezantimit, kryeministri Albin Kurti deklaroi se projektbuxheti synon transformimin ekonomik të vendit, duke parashikuar pagën e 13-të për rreth 85 mijë punonjës të sektorit publik dhe rritjen e vlerës së koeficientit të pagave në 120 euro nga 1 korriku 2027. Kurti theksoi gjithashtu se shpenzimet për udhëtimet zyrtare jashtë vendit janë përgjysmuar dhe fondet e kursyera janë kaluar për blerjen e barnave esenciale.