Një moment i papritur ka ndodhur në skenën e Top Arenës mbrëmjen e së dielës. Dy ish-banorët e Big Brother VIP 5, Mateo Borri dhe Brikena Selmani, vallëzuan së bashku në skenë në tingujt e muzikës, njësoj si në kohën kur ata ishin pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Ky moment u shoqërua me duartrokitjet e publikut dhe panelit, teksa ish-çifti solli dhe njëherë momentet e bukura që kaluan në shtëpinë e Big Brother, duke ngritur dyshimet se mund të ketë një ribashkim të mundshëm të tyre. Por ndërsa vallëzimi i tyre në Top Arena riktheu kujtimet e historisë që mbajti të mbërthyer pas ekranit mijëra ndjekës gjatë muajve të Big Brother VIP Albania 5, jashtë dritave të spektaklit raporti mes tyre vazhdon të mbetet i paqartë. Prej disa kohësh në rrjetet sociale janë mbushur me komente dhe aludime për një ndarje të mundshme mes Brikenës dhe Mateos, ku fansat kanë vënë re disa ndryshime në rrjetet sociale të dy ish-banorëve, të cilët nuk ndjekin më njëri-tjetrin në Instagram. Po ashtu, nga profilet e tyre janë fshirë postimet dhe fotot e përbashkëta, një detaj që shpesh interpretohet si shenjë distancimi mes partnerëve. Vëmendje ka tërhequr edhe një postim i Brikenës në Instastory, ku ajo shfaqej në makinë duke vendosur një emoji zemre të thyer, duke lënë të kuptohet se po kalon një periudhë emocionale të vështirë. Më herët, ajo kishte ndarë edhe një foto me nënën e Mateos, të cilën e kishte quajtur me përzemërsi “mbretëreshë”, duke treguar një raport të afërt me familjen e tij. Dyshimet për një ftohje mes tyre janë shtuar edhe më shumë pasi Brikena ka ndryshuar foton e profilit, duke hequr imazhin ku shfaqej me Mateon, me të njëjtën lëvizje të bërë edhe nga ky i fundit. Ndërkohë, Mateo ka publikuar një story nga Elbasani, ku shfaqet i rrethuar nga fëmijë dhe duke bërë shenjën e paqes, të shoqëruar me mbishkrimin “Një ditë normale në Elbasan”. Megjithatë, ndjekësit kanë vënë re një detaj që po komentohet gjerësisht në rrjet, pasi në dorën e tij të majtë mungon unaza e vendosur gjatë dasmës së tyre brenda në shtëpinë e Big Brother, të cilën ish-banori e konsideronte gjithmonë si shenjë të dashurisë së tyre. Pavarësisht aludimeve të shumta në rrjetet sociale, as Brikena dhe as Mateo nuk kanë bërë ende një reagim zyrtar për të sqaruar statusin e marrëdhënies së tyre, duke lënë gjithçka të hapur për interpretim dhe spekulime. Të dy ata u bënë pjesë e edicionit të pestë të Big Brother VIP, të cilët treguan lidhjen e tyre që kishin jashtë shtëpisë disa vite më parë. Në Big Brother, ata krijuan sërish një lidhje, duke e kurorëzuar edhe me një dasmë brenda mureve të shtëpisë. Mateo u rendit i treti në këtë edicion të BBVIP, ndërsa Brikena u eliminua në gjysmëfinale. Historia e Brikena Selmanit dhe Mateo Borrit në BBVA 5 ishte një nga rrëfimet më të ndjekura dhe më të komentuara të sezonit. Udhëtimi i çiftit BriTeo, siç i kanë etiketuar fansat nisi me hyrjen e Mateo Borrit si konkurrent në “Akuariumin” e shtëpisë së Big Brother. Pas hyrjes së tij, ai u pyet nga moderatori Ledion Liço nëse kishte njohje me ndonjë nga banorët e shtëpisë. Në atë moment Mateo vendosi të rrëfente se para disa vitesh kishte patur një njohje me një nga vajzat e shtëpisë. Ajo ishte... Brikena. Pas deklaratës banori vendosi që Brikenës t’i jepte imunitet duke e marrë kështu me vetë në ‘Akuarium’. Brikena e mohoi të ketë pasur një lidhje me Mateon jashtë dhe tha se mes tyre janë shkëmbyer vetëm disa mesazhe në media sociale dhe shtoi se mes tyre ka patur vetëm një takim. “Kemi ngrënë një darkë dhe kaq”, ishte kjo deklarata e saj teksa refuzoi që t’i bashkohej Mateos në “Akuarium”. Por, historia mes tyre nuk përfundoi këtu, përkundrazi, ky ishte vetëm fillimi i udhëtimit të tyre në Big Brother. Këtu lindi edhe obsesioni i ri i publikut, “BriTeo”. Megjithatë, tensioni emocional mes tyre u vu re shumë shpejt. Shikimet, xhelozitë dhe debatet e vogla nisën të bëheshin pjesë e përditshme e spektaklit. Mateo shpesh shfaqej më i hapur për ndjenjat e tij, ndërsa Brikena mundohej të ruante distancën, gjë që krijoi edhe më shumë kuriozitet te publiku. Në rrjetet sociale, fansat nisën të diskutonin vazhdimisht nëse historia e tyre ishte reale apo pjesë e lojës së Big Brother-it. Me kalimin e javëve, raporti i tyre ndryshoi dukshëm. Brikena pranoi publikisht se afrimiteti me Mateon kishte ardhur natyrshëm dhe se nuk e kishte pritur të krijonte ndjenja brenda shtëpisë. Ajo e përshkroi Mateon si një djalë të zgjuar, të respektueshëm dhe me vlera, duke lënë të kuptohej se marrëdhënia po bëhej gjithnjë e më serioze. Një nga momentet më të komentuara ishte puthja e parë e çiftit, e cila u bë virale në rrjet. Pas saj, marrëdhënia mes tyre kaloi edhe në ulje-ngritje. Kishte momente afrimiteti të madh, por edhe distancime të menjëhershme që krijuan konfuzion te publiku. Madje, mediat e shoëbiz-it e cilësuan lidhjen e tyre si një nga raportet “më të paqarta” të këtij sezoni të Big Brother VIP Albania. Një tjetër detaj që tërhoqi vëmendje ishte përfshirja e familjarëve. Në rrjetet sociale u vu re se familjet e tyre nisën të mbështesnin publikisht raportin Brikena-Mateo, gjë që u interpretua si një “bekim” për lidhjen. Kjo mori rëndësi sidomos pasi Mateo kishte deklaruar se vite më parë kishte pasur pengesa nga familjarët për afrimitetin mes tyre. Kulmi i historisë së tyre erdhi në javët e fundit të programit. Gjatë një darke romantike të organizuar në shtëpi, Mateo i bëri Brikenës një propozim simbolik, duke i kërkuar të vazhdonin lidhjen edhe jashtë mureve të Big Brother-it. Ai u ul në gjunjë dhe i tha se ishte “i çmendur pas saj”, ndërsa Brikena pranoi se kishte filluar të ndiente diçka të fortë për të. Momenti u prit me duartrokitje nga banorët dhe u kthye menjëherë në një nga skenat më të shpërndara online. Pak ditë më vonë, produksioni organizoi edhe një ceremoni simbolike dasme për çiftin. Të veshur si nuse dhe dhëndër, Brikena dhe Mateo shkëmbyen unaza brenda shtëpisë, në praninë e ish-banorëve dhe opinionistëve të spektaklit. Dasma e tyre u konsiderua një nga momentet më emocionale dhe më televizive të sezonit. Edhe pas përfundimit të Big Brother VIP Albania, historia e tyre vazhdoi të tërhiqte vëmendje. Të dy u panë shpesh bashkë edhe në dalje televizive dhe lanë të kuptohet se raporti nuk mbeti vetëm brenda lojës së Big Brother VIP, por kishin planë edhe për një martëse... këtë herë të vërtetë.