Ariana Grande u ka dhënë një lamtumirë emocionale fansave të saj, teksa po merr një pushim nga jeta publike pas përfundimit të turneut të saj “Eternal Sunshine”. Këngëtarja amerikane performoi në O2 Arena në Londër në natën e fundit të turneut, ku, mes lotësh, falënderoi fansat për mbështetjen dhe për momentet e veçanta gjatë koncerteve. “Doja vetëm t’ju falënderoja shumë”, tha Grande, e cila u shoqërua nga duartrokitje dhe brohoritje të forta. Ajo falënderoi fansat për 10 shfaqjet në Londër dhe për 41 koncertet e turneut “Eternal Sunshine”. Grande e përshkroi këtë periudhë si “një nga përvojat më të bukura dhe të jashtëzakonshme të jetës sime”, duke shtuar se do ta çmojë gjithmonë. “Kam fansat më të mirë në të gjithë botën dhe gjithmonë i kam pasur. Më pëlqejnë veshjet tuaja. Më pëlqejnë fytyrat tuaja. Më pëlqen t’ju shoh dhe më pëlqen të lidhem me ju në këtë mënyrë”, u tha ajo fansave. Lajmi për tërheqjen e saj të përkohshme nga vëmendja publike ishte bërë i ditur muajin e kaluar. Një përfaqësues i këngëtares tha se Grande do ta përfundonte turneun “me një notë të lartë”, përpara se të merrte një “pushim shumë të merituar nga puna dhe paraqitjet publike”. Grande gjithashtu u tërhoq nga roli kryesor në një produksion në Londër “Sunday in the Park with George”, ku do të luante përkrah, Jonathan Bailey. Edhe Bailey më pas u largua nga produksioni. Vendimi për të bërë një hap pas nga jeta publike vjen pas një periudhe ku Grande ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes dhe është përballur edhe me komente të shumta për pamjen e saj. Megjithatë, këngëtarja ka theksuar se vendimi nuk ishte një reagim ndaj kritikave. “Dëgjova se fansat e mi ishin të shqetësuar se negativiteti po më prishte gjërat, por duhet të them se nuk mund të jetë më e kundërta”, tha Grande gjatë një performance në Çikago. Ajo shtoi: “Duhet të vendosen kufij, qeniet njerëzore mund të kenë nevojë për një pushim ndonjëherë.” Grande ka bërë të qartë se tërheqja e saj nuk është një vendim impulsiv, por diçka që e kishte planifikuar prej kohësh.