Zyra e Prokurorit të Berlinit ka ngritur akuza ndaj një burri 68-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer të paktën 22 përdhunime ndaj 14 grave, pasi i drogonte ato me një përzierje pilulash gjumi dhe alkooli. Ai akuzohet gjithashtu për plagosje të rënda trupore dhe filmimin e akteve të tij kriminale. Sipas prokurorisë, i dyshuari ndodhet në paraburgim që nga fillimi i muajit mars. Hetimet kanë zbuluar se ai i gjente viktimat përmes platformave të njohjeve online, ku krijonte kontakte me to përpara se t’i anestezonte dhe t’i përdhunonte. Shumica e grave nuk kishin dijeni se ishin viktima të këtyre krimeve dhe e mësuan këtë vetëm pasi u kontaktuan nga autoritetet gjatë hetimeve.