Shpërthimi i papritur i tensioneve në një rajon që, ndonëse historikisht problematik, kishte rënë disi në heshtje vitet e fundit, befasoi opinionin publik. Vëmendja botërore ishte zhvendosur diku tjetër. Por çfarë ndodhi realisht mes Indisë dhe Pakistanit? Përse kjo përplasje e papritur mes dy kombesh bërthamore, ku ndërgjegjësimi mbi rrezikun e shtypjes së butonit të kuq nuk është i niveleve të tilla si në Perëndim? A ka dicka tjetër në këtë mes, që shkon përtej sulmit, në pamje të parë të palogjikshëm të 22 prillit pranë Pahalgamit në Kashmirin e administruar nga India, ku mbetën të vrarë 26 turistë jo-myslimanë, i cili barte megjithatë potencialin e madh për të krijuar telashe mes dy shteteve rivale, të gatshme gjithmonë për përplasje? A ishte ai episod dicka më shumë sesa një incident i izoluar terrorist, dhe a mund të ketë qenë në fakt, një levë e heshtur për të provokuar një çarje mes Kinës dhe Rusisë?