Kaja Kallas pohoi në Prishtinë se Bashkimi Europian ka nisur heqjen graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, me kushtin që të punohet për uljen e tensioneve në veriun me shumicë serbe. Shefja e diplomacisë europiane nuk sqaroi saktësisht se për cfarë masash bëhet fjalë, por REL ka mësuar se masat që janë hequr kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe bllokut evropian, dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Burime në Bruksel pohuan për median e njohur se tani ka filluar puna e disa nën-komiteteve të MSA-së, si dhe ofrimi i ndihmës teknike në kuadër të Kornizës së Investimeve për rajonin. Kosova mbështetet nga ky mekanizëm që nga viti 2009. Deri në vitin 2021, në Kosovë ishin mbështetur 30 projekte në vlerë prej 1.8 miliard eurosh nga ky mekanizëm. Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza. BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 - pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. Kallas i tërhoqëi vërejtje Prishtinës duke thënë se mbyllja e institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare “po minon” përpjekjet drejt shtensionimit të situatës. Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur një sërë institucionesh paralele serbe në javët e fundit, me arsyetimin se për të cilat thonë se janë të jashtëligjshme.