Familjarët e gjyqtarit të vrarë Astrit Kalaja janë paraqitur këtë të premte në gjykatë, ku po zhvillohet seanca e parë paraprake ndaj Elvis Shkëmbit dhe Gjon Shkëmbit, të akuzuar për vrasjen e tij. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Në gjykatë janë paraqitur edhe bashkëshortja dhe fëmijët e gjyqtarit të ndjerë, të shoqëruar nga avokati Arben Dollapi, i cili përfaqëson interesat e familjes në procesin penal. Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, pasi Gjon Shkëmbi humbi procesin gjyqësor për një çështje pronësie. Autori qëlloi me armë ndaj gjyqtarit, duke i shkaktuar vdekjen me tre plumba. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.