Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë u bën thirrje protestuesve dhe policisë që të vetëpërmbahen dhe të shmangin dhunën gjatë tubimeve. Përmes një reagimi të shpërndarë për mediat, delegacioni i BE shpreh shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë. “Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, thuhet në deklaratë.