‘Jakup, që tri ditë po vij te kjo derë. Tri ditë po pres me ta pa fytyrën, me ta ni zanin, me të përqafu. Kjo derë dikur hapej pa trokitë. Por sot, për me hi në shtëpinë tem, duhet me kërku leje’ Kështu e nisi rrëfimin prekës në ‘Fiks Fare’ 87-vjeçari Daut Krasniqi, vëllai i Jakup Krasniqit, i dënuar me 25 vite burg nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Mbi 72 orë priti me bastun në dorë për të takuar të vëllain, i cili shkoi në Kosovë për shkak të sëmundjes së bashkëshortes. Një takim aq i munguar, që nuk mundi të realizohej. “Thuaji atij që sot e quan veten zot të kësaj shtëpie se unë nuk jam i huej. Me ty kam pi të njëjtin gji të nanës, në të njëjtin djep jemi përkundë, bukën e kemi nda përgjysmë. Teshat e mia i ke veshë ti, e të tuat unë. Jam Dauti, Jakup. Vëllai yt! Teksa qëndronte stoik para banesës së Jakupit, Daut Krasniqi me dhimbje dhe mall tregoi përjetimet e pritjes.