Për katër ditë me radhë, 87-vjeçari Daut Krasniqi qëndroi te ballkoni i shtëpisë së vëllait të tij, Jakup Krasniqi, duke e parë të vëllanë vetëm nga dritarja, në pamundësi për ta takuar, për shkak të rregullave të Hagës. Me moshën e thyer dhe mallin për të vëllanë, 87-vjeçari preku zemrat e shumë shqiptarëve, teksa priste me një bastun në dorë me shpresë për të takuar Jakupin, i cili mori katër ditë leje për të qëndruar pranë bashkëshortes së sëmurë. Ai mund të takonte vetëm bashkëshorten dhe fëmijët, dhe askush tjetër nuk mund të hynte në shtëpi, pasi vizita e tij do të ndërpritej menjëherë dhe do të kthehej në qelitë e Hagës.