Kosova mund të krijojë deri në 87 mijë vende pune dhe të tërheqë deri në 1.5 miliardë dollarë investime private deri në vitin 2035, nëse zbaton reforma të shpejta thotë Banka Botërore. Për ta arritur këtë, vendi duhet të tejkalojë pengesat kryesore, energjinë e paqëndrueshme, mungesën e kuadrove, burokracinë dhe pasigurinë juridike dhe të orientojë kapitalin e huaj drejt prodhimit. Aktualisht, gati 82% e investimeve të huaja shkojnë në patundshmëri dhe financa, ndërsa për çdo 100 euro import Kosova eksporton vetëm rreth 15 euro. Banka Botërore identifikon tri sektorë kyç për rritje: Energjia e ripërtëritshme mund të sjellë rreth 1 miliard dollarë investime dhe 8,300 vende pune, por kërkon ankande shumëvjeçare, rregulla të qarta dhe garanci pagesash, teksa vendi synon rritjen e kapaciteteve të ripërtëritshme deri në vitin 2031.