Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar përmes një deklarate në lidhje me transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj nga burgu i Durrësit në atë të Fierit. Deklarata nis me pretendimet e këtij institucioni për spekulime të shumta në media, çka thotë se e detyroi që të dalë me një njoftim të pazakontë për rastin, që e konsideron si procedurë standarde e brendshme e punës. Burgjet sqarojnë se kanë zbatuar të gjitha procedurat ligjore dhe rregulloren e brendshme, duke shtuar se pas verifikimit në seksionin e pranimit, Veliaj është transferuar në qelinë e tij. Por, sa i përket urdhrit të transferimit, Drejtoria e Burgjeve nuk jep asnjë arsyetim, por thotë se akti është sekret shtetëror. “Ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi, njohja dhe vënia në dispozicion e tij u nënshtrohen kushteve, kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin për informacionin e klasifikuar.