Panairi i 29-të i Librit ‘Tirana 2026’, i cili ishte parashikuar të mbahej në datat 11-15 nëntor, është shtyrë për në muajin dhjetor. Vendimi është bërë publik nga grupi organizator, i cili argumenton se klima e krijuar në Tiranë nga protestat nuk ofron kushtet e duhura për një pjesëmarrje të gjerë të vizitorëve dhe lexuesve. Në njoftimin zyrtar, organizatorët bëjnë me dije se shtyrja vjen pas konsultimeve me botues, pedagogë, mësues dhe lexues. Shqetësim i veçantë, sipas tyre, mbetet pjesëmarrja e të rinjve dhe fëmijëve, të cilët përbëjnë një nga grupet kryesore të synuara të këtij aktiviteti kulturor. Panairi i Librit, që çdo vit mbledh në një hapësirë të vetme botues, autorë dhe lexues do të zhvillohet brenda muajit dhjetor. Ndërkohë, datat e reja pritet të bëhen publike në ditët në vijim.