Një automjet ka përfunduar në kanal në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Urës së Dajlanit, pasi drejtuesi dyshohet se tentoi t’i shmangej Policisë Rrugore. Si pasojë e ngjarjes, drejtuesi i mjetit është nxjerrë nga automjeti nga shërbimet zjarrfikëse dhe është transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas të dhënave paraprake, gjithçka ka nisur pasi drejtuesi i automjetit nuk i është bindur sinjalit të Policisë Rrugore për të ndaluar. Për këtë arsye, shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të mjetit. Gjatë ndjekjes, drejtuesi ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke dalë nga rruga dhe përfunduar në kanal, pranë Urës së Dajlanit. Paraprakisht, dyshohet se drejtuesi i automjetit ishte në gjendje të dehur. Shkaku i saktë i aksidentit dhe rrethanat e plota të ngjarjes pritet të sqarohen nga autoritetet.