Kur ka kaluar një vit nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, masat e sigurisë në institucionet e drejtësisë ende nuk kanë një strukturë policore të posaçme. Shqetësimi është ngritur nga Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë që përmes një deklarate të përbashkët thonë se magjistratët po vijojnë të përballen çdo ditë me rrezikun. Një vit pas vrasjes së një gjyqtari në sallën e gjyqit, gjykatat dhe prokuroritë nuk kanë ende një strukturë policore të posaçme. Nuk ka mekanizëm për vlerësimin e kërcënimeve dhe mbrojtjen e magjistratëve të kërcënuar. Nuk ka një kuadër ligjor të ri për sigurinë e institucioneve të drejtësisë. Nga autoritetet kompetente mungon ende një reagim konkret dhe i qëndrueshëm. Nëse një gjyqtar nuk është i sigurt në sallën e gjyqit, sa i sigurt është qytetari që hyn në të? Sulmi ndaj gjyqtarit Kalaja ishte sulm ndaj gjithë sistemit të drejtësisë, ndaj gjykatës që vendos, por edhe ndaj qytetarit që kërkon drejtësi. Magjistratët e njohin nga afër këtë rrezik. Ata përballen çdo ditë me çështje për krime të rënda, krim të organizuar dhe korrupsion, dhe shpesh bëhen, bashkë me familjet e tyre, objekt kërcënimesh e presionesh.