Të miturit e vendosur në vijën e parë të përplasjeve të protestës studentore janë parë me shqetësim nga ana e institucioneve. Kryeministri Edi Rama mblodhi Këshillin Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve ku ndër të tjera u diskutua edhe zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkolla deri në orën 17. “Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë është diçka që do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur dhe një buxhet të posaçëm në mënyrë që prindërit të vazhdojnë të punojnë dhe fëmijët jenë në mjediset e shkollës deri në orën 5 pasdite.” Rama solli sërish në tryezën e diskutimeve temën e kufizimeve që duhet të ndërmerren për përdorimin e rrjeteve sociale nga ana e të miturve.