“Pasqyrë Albania”, është gati të vihet në funksionim me të gjitha shërbimet që ofron. E konceptuar si rezultat i reflektimit mbi protestën qytetare të fillimqershorit, platforma, sipas kryeministrit Edi Rama, sjell një qasje të re në marrëdhënien mes qytetarit dhe administratës, duke krijuar një dritare të vetme dixhitale, ku mund të ndiqen investimet publike, vendimmarrja vendore, aplikimet dhe ankesat, si dhe të jepet kontribut në përmirësimin e nismave publike. Ideja për këtë lidhet me atë zotim tjetër në kuadrin e “Pasqyrë Albania”-s që t’u vëmë në dispozicion të gjithë qytetarëve një instrument, ku ata të mund t’i shohin vetë investimet, ecurinë e projektit në çdo zonë të interesit të tyre. Një qytetar nga Vlora do të shohë se çfarë po bëhet aktualisht në zonën e tij, në çfarë stadi janë projektet, për projekte që për një arsye apo një tjetër mund të jetë të pezulluara, mund të jenë të vonuara e kështu me radhë, në mënyrë që çdo lloj “gjysëm e vërtete”, që është dhe gënjeshtra më e madhe pa llogaritur këtu të pavërtetat totale që shpërndahen përditë nëpër portale, nëpër kanale të mund t’i ballafaqojë vet qytetari me mundësinë për të ndezur “Pasqyrë Albania” dhe për të parë se çfarë bëhet me investimet.