“E vërteta është që nuk e kemi rritur aq sa duhet pagën tuaj dhe për këtë arsye po bisedonim përpara disa javësh, kështu që me buxhetin e ri nga 1 janari,paga juaj do të rritet në mënyrë të konsiderueshme, por nga ana tjetër, për të gjithë rezistencën, për të gjithë sakrificën, për të gjithë kurajën dhe mbi të gjitha për dinjitetin me të cilin ju po i dilni përballë jo vetëm këtyre, por edhe atyre që nëpër ekrane ‘’masakrojnë’’ Policinë e Shtetit, nëpër ekrane fajësojnë Policinë e Shtetit, nëpër ekrane kërkojnë që Policia e Shtetit të dorëzohet, ne do t’ju vëmë menjëherë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh për çdo efektiv që është në këtë front, sepse keni jo vetëm stresin, por keni edhe nevojë për të shpenzuar në këtë moment dhe gjëra ekstra. Dhe vendosëm kështu, për të mos bërë asnjë diferencë, nuk e vendosëm sipas pagës, por e vendosëm kështu. E njëjta shumë për të gjithë sepse në këtë moment jeni të gjithë një, dhe një për të gjithë. Nuk diskutohet që shteti do ta fitojë këtë betejë dhe nuk diskutohet që kush mendon se e vuri shtetin përpara dhe kush mendon se do të marrë pushtetin me dhunë, do të zhgënjehet, por nuk diskutohet që kush i është vënë në dispozicion këtij plani ogurzi për Shqipërinë për të cilin fërkojnë duart në radhë të parë, dashakëqinjtë e Shqipërisë; për të cilin fërkojnë duart në radhë të parë forcat që nuk e duan Shqipërinë me kokën lart në këtë rajon ku kemi qenë për shekuj me radhë të poshtëruar; nuk e duan Shqipërinë që të kryesojë rajonin në shumëçka; nuk e duan Shqipërinë që të ketë 12 e 13 e 15 e 20 milionë turistë. E duan Shqipërinë që të mos vijë askush këtu siç ndodhte më përpara kur numëroheshim për turistë edhe ne, kur hynim e dilnim”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në takim me drejtuesit e policisë së shtetit këtë të hënë.