Vetë Kryeministri Edi Rama nuk ndodhet në Tiranë, për shkak të udhëtimit për në Budva të Malit të Zi për të marrë pjesë në samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Megjithatë, mungesa e tij në Kryeministri nuk ndaloi përsëritjen e ftesës simbolike për dialog me studentët. Madje këtë herë, ftesa u përforcua jo më me karrige druri që janë hedhur në dy raste nga pedagogët dhe studentët, por me cilindra betoni, që në ditët e protestës së dhunshme u përdorën nga protestuesit në bulevard për të penguar automjetet ujëhedhës me presion. Mbi cilindrat e ngurtë u vendosën sërish letrat më shënimin ‘Dialog’. Mbrëmjen e së mërkurës, protestuesit dogjën po simbolikisht karriget e drurit të nxjerra nga Edi Rama për dialog. Ndërkohë, këtë të premte sindikata e punonjësve të universiteteve ka vijuar me thirrjen për bojkot të mësimit në të gjitha universitetet e vendit. Thirrja është zbatuar pjesërisht në tre universitetet e Tiranës dhe në atë të Korçës.