Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të dielë Paketën e re kundër dhunës dhe anarkisë urbane. Paketa përbëhet nga 6 instrumente që, sipas Ramës, plotësojnë njëri-tjetrin. Një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël, një ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve, disa ndryshime në ligjin “Për tubimet”, një Regjistër Elektronik i Posaçëm për dhunuesit urbanë, një ndryshim në Kodin e Etikës së mësuesve dhe disa propozime për ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Ndryshime këto që sipas Ramës, mbrojnë protestën, ndëshkojnë dhunën ndërsa shkaktarët paguajnë dëmet. Akti normativ për dëmshpërblimin e menjëhershme të biznesit të vogël. Ky akt vjen si mbështetje e menjëhershme financiare për ata që u dëmtuan nga thyerjet, grabitjet, zjarri. Instrumenti i dytë: Ligj i ri sipas modelit francez “Kush thyen, paguan”. Pra, kush zgjedh të vazhdojë të qëndrojë në një turmë apo në një grup, duke e ditur që përreth tij po gjuhet me gurë, po digjet me zjarr e po thyhet e shkatërrohet, do të përgjigjet administrativisht përmes gjobës, bashkë me ata që i kryejnë veprimet e dhunshme dhe gjoba do të shkojë deri në 500 000 lekë të reja. Me paketën e re ndryshonë dhe ligji për tubimet. Ndryshimet i japin policisë kapacitete parandaluese për vendet publike dhe më të ndjeshme, aftësi reaguese ndaj fenomenit të thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale dhe mundësi sanksionesh, që sipas kreu të qeverisë, janë simbolike krahasimisht me masat që sot vendet e tjera europiane kanë marrë dhe po marrin në përgjigje të këtij realiteti të ri dhune e anarkie urbane. Thirrjet për dhunë në rrjetet sociale. Kur identifikon një thirrje për dhunë në kuadër të një tubimi, policia i dërgon mbajtësit të llogarisë një njoftim për fshirjen e postimit menjëherë dhe për mospërsëritjen e tij, duke i ofruar edhe mbështetje psikologjike kur ka nevojë. Identifikimi i personave të maskuar. Sot, bazuar në ligjin ekzistues, fshehja e identitetit të individëve në protestë është e ndaluar, por ne do ta përfshijmë këtë ndalim në Kodin Penal, si vepër penale identike me atë të 27 vendeve europiane, duke ndjekur modelin francez.