Ilir Meta kërkon ndërhyrjen pa vonesa të Kuvendit dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor për t’i dhënë fund ngërçit të zhvillimit të seancave gjyqësore në Gjykatën e Posaçme. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Presidenti i Partisë së Lirisë, thotë se konflikti mes GJKKO dhe avokatëve për rregulloren e re cenojnë jo vetëm interesat e shtetit, por edhe vetë proceset e rregullta ligjore dhe mbrojtjen efektive të qytetarëve të përfshira në këto procese. “Akoma më e rëndë bëhet kjo situatë kur Kuvendi jo vetëm që ka dy muaj që hesht dhe bën sikur nuk shikon, por edhe të vetmen nismë ligjore të ndërmarrë nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi, në datë 14 tetor 2026, e refuzoi më datë 22 tetor 2026 ta përfshijë në kalendarin e punimeve. Po kështu, heshtja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, prej dy muajsh, cënon rëndë besimin te institucionet, që kanë detyrë kushtetuese për administrimin e proceseve gjyqësore”, thotë kreu i PL.