Erion Veliaj firmosi ndryshime në kupolën drejtuese të Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku vendosi lirimin nga detyra të dy nënkryetarëve, Vasilika Vjero dhe Ilir Mëngra si dhe emërimin e Etleva Bishës në detyrën e nënkryetares së bashkisë. Vasilika Vjero ishte përgjegjëse për financat dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa Ilir Mëngra për punët publike në bashkinë e Tiranë. Ata u emëruan më 31 korrik të vitit të kaluar së bashku me Blendi Sulajn dhe Gentian Kerrin, në funksionin e nënkryetarëve të bashkisë, në vazhdën e rifreskimit të drejtimit vendor, të kërkuar nga kryeministri Edi Rama pas arrestimit të Erion Veliajt.