Gjykata Kushtetuese e Kosovës i dha të drejtë PDK-së, duke Konstatuar se Kuvendi i ri u konstituua pas afateve kushtetuese. Megjithatë, gjykata vlerëson se tejkalimi i këtij afati nuk cenon mandatimin e qeverisë së Albin Kurtit, por ngushton afatet e zgjedhjes së Presidentit të ri. “Kalimi i afatit 30 ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kushtetuese. “Afati 60 ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, thuhet në vendim. Gjykata urdhëron deputetët e Kuvendit të Kosovës që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, që në këtë rast është PDK.