Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar duke shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit në Shqipëri. Ai u bëri thirrje partive politike që të tejkalojnë interesat partiake dhe të angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje në interes të vendit dhe qytetarëve. “Në këtë moment, i bëj thirrje të gjithë klasës politike shqiptare, që të reflektojë urgjentisht. Kjo është një çështje e interesit kombëtar, që kërkon përgjegjësi të përbashkët dhe vullnet për të tejkaluar veten, në të mirë të vendit. Situata aktuale duhet të tejkalohet me maturi, përmes dialogut dhe veprimeve të përgjegjshme, në mënyrë që të mos dëmtohet më tej besimi te institucionet, jeta e qytetarëve dhe funksionimi demokratik i shtetit. Shqipëria nuk është pronë e askujt, por atdheu i të gjithëve. Prandaj, kur Shqipëria përballet me vështirësi, të gjithë kemi përgjegjësi për të kontribuar në tejkalimin e tyre. Shqipëria që digjet është Shqipëria e të gjithëve dhe humbja e saj është humbje për secilin prej nesh.”, shkroi Ali Ahmeti në Facebook.