Studentë dhe pedagogë në Elbasan dhe Korçë i janë përgjigjur thirrjeve për bojkot të mësimit, në kuadër të protestave të zhvilluara në Tiranë, ndërsa në Vlorë dhe Shkodër nuk raportohet deri më tani për bojkot apo protesta. Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, një pjesë e studentëve kanë bojkotuar procesin mësimor. Sipas burimeve, studentët dhe stafi pedagogjik janë lënë të lirë të vendosin individualisht nëse do t’i bashkohen protestës në kryeqytet apo do të vijojnë mësimin. Ndërkohë, në Universitetin e Korçës, studentë dhe pedagogë kanë bojkotuar mësimin dhe janë mbledhur në ambientet e universitetit, prej nga kanë nisur një marshim në rrugët e qytetit, në shenjë mbështetjeje për kërkesat e studentëve dhe protestën paqësore. Në ndryshim nga këto dy qytete, në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë mësimi po zhvillohet normalisht, pa raportime për protesta apo bojkot të procesit akademik. E njëjta situatë paraqitet edhe në Shkodër, ku deri më tani nuk raportohet për bojkot apo mobilizim studentor. Bojkoti dhe marshimet në universitete vijnë pas protestave të zhvilluara në Tiranë, ku studentët kanë ngritur kërkesat e tyre, ndërsa pedagogët janë shprehur në mbështetje të tyre dhe kundër dhunës ndaj të rinjve.