Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.4% këtë vit, por krijimi i vendeve të punës më produktive dhe më të mirëpaguara mbetet një nga sfidat kryesore, sipas Bankës Botërore. Në raportin e fundit për Ballkanin Perëndimor, institucioni vlerëson se papunësia në Shqipëri ka zbritur në nivelin më të ulët historik dhe pagat vijojnë të rriten. Megjithatë, ekonomia mbetet e mbështetur kryesisht te turizmi dhe shërbimet, ndërsa produktiviteti i ulët dhe baza e kufizuar e eksporteve pengojnë potencialin për rritje afatgjatë. Banka Botërore thekson se për të ruajtur ritmin e rritjes dhe për t’u afruar me nivelet e Bashkimit Evropian, nevojitet përmirësimi i aftësive të punonjësve, rritja e produktivitetit dhe krijimi i kushteve që bizneset të investojnë e të zgjerohen. Lehtësimi i barrierave tregtare dhe procedurave administrative mund të ndihmojë në nxitjen e investimeve, eksporteve dhe punësimit.