28-vjeçari Erjon Vishkulli, I mbetur I plagosur në sy nga një plumb gome gjatë protestës të zhvilluar ditën e shtunë (24.10.2026), është nisur drejt Italisë për një ndërhyrje kirurgjikale. Pas konsultës me bluzat e bardha të Traumës, mjekja Vilma Mema, shefe e shërbimit të okulistikës në QSUT, ka konfirmuar nisjen e të riut drejt shtetit fqinj për një ndërhyrje më të specializuar. “Me mjekët e Spitalit të Traumës dhe ata të Shërbimit Universitar në QSUT, sot kemi konstatuar disa shenja pozitive. Përsëri, stafi ka arritur në konstatimin se duhet të kryhet edhe një ndërhyrje e dytë për heqjen e trupit në sy. Për një rezultat më të mirë, kemi bërë një bashkëpunim me një klinikë të specializuar në Itali. Ministria e Shëndetësisë është vënë në dispozicion për të kryer transportin e pacientit” 28-vjeçari Erjon Vishkulli ka rrëfyer se gjithçka ndodhi në pak sekonda. Ai ka treguar se pas goditjes ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm dhe se kujtimet për atë që ndodhi më pas janë të pakta.