23 protestues u arrestuan nga policia dhe 13 të tjerë u proceduan penalisht gjatë përleshjeve të ndodhura në tubimin e të shtunës në kryeqytet. Po ashtu u shpallën në kërkim dhe 30 persona të tjerë. Gjatë protestës së djeshme, të zhvilluar në zona të ndryshme të kryeqytetit, sipas policisë, efektivët u sulmuan për orë të gjata me gurë, vida e sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla. Si pasojë e përplasjeve disa punonjës Policie u plagosën dhe morën ndihmën mjekësore. Policia thotë se po vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.