Gërmimet arkeologjike të zhvilluara gjatë muajit maj kanë sjellë zbulime të reja të rëndësishme për historinë e qytetit antik. Arkeologët kanë evidentuar fortifikimin e pjesës së poshtme të qytetit, përfshirë edhe zonën e agorasë antike, e cila më herët mendohej se kishte qenë e pafortifikuar. Punimet, të realizuara në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, kanë zbuluar vazhdimësinë e murit mbrojtës, si dhe mbetjet e ndërtesave që ndodheshin brenda tij. Gjurmët e shkatërrimit të këtyre strukturave datojnë në shekullin e pestë pas Krishtit dhe lidhen me periudha konfliktesh.