Sulmi i protestës së dhunshme ndaj Gjykatës së Lartë ka shkaktuar dëme të mëdha në godinën e institucionit, ndërsa nga zjarri janë djegur edhe dosje gjyqësore. Përballë kësaj situate, Gjykata e Lartë njofton shtyrjen e seancave gjyqësore deri në përfundimin e verifikimit të dëmeve. Gjatë kësaj periudhe, thuhet në njoftim, do të kalojnë në duart e gjyqtarëve vetëm dosjet urgjente. “Seancat gjyqësore të planifikuara për t’u zhvilluar në Gjykatën e Lartë, përveç çështjeve me natyrë urgjente, do të shtyhen deri në përfundim të procesit të verifikimit të dëmeve, evidentimit dhe vlerësimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore, si dhe për të rikthyer kushtet e nevojshme për vijimin e rregullt të veprimtarisë së institucionit”.