Bulevardi kryesor i Tiranës u kthye në arenë lufte edhe në përshkallëzimin e tettë të protestës. Më të shumtë në numër, efektivët treguan forcën përballë vajzave të reja. Ndryshe nga një natë më parë, kur efektivët u tërhoqën, në betejën e të martës, ata u konfrontuan fizikisht me një grup studentesh dhe më pas përdorën ujë me presion për t’i shpërndarë. Efektivët, me dhjetëra makina dhe autobotë, rrethuan gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe nuk u zmbrapsën nga gurët dhe molotovët e protestuesve. Forcat e rendit shpërndanë protestuesit me ujë, spray e gaz lotsjellës që e hodhën në sasi të mëdha në të gjithë bulevardin. Përplasje të ashpra mes protestuesve dhe policisë pati edhe te sheshi “Skënderbej”.