Të arrestuarit nga protesta e dhunshme e të shtunës të përfshirë në goditje me molotov dhe gurë ndaj efektivëve të policisë për herë të parë përballen me akuzën “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë. Për protestën e të shtunës, policia e Tiranës thotë se gjashtë persona janë arrestuar, tre të tjerë janë proceduar penalisht dhe dy janë shpallur në kërkim pas akteve të dhunës. Protestuesit thuhet në njoftim kundërshtuan dhe goditën efektivët me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe mjete të tjera, ndërsa bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash.