Policia e Vlorës ka arrestuar, menjëherë sapo ka lënë ambientet e spitalit, drejtuesin e skrepit, që u përfshi në aksidentin e rëndë, ku humbi jetën shefi i Krimeve të Rënda në Vlorë, Ermal Lulaj. Aksidenti tragjik në autostradën Fier-Vlorë ndodhi mbrëmjen e të hënës, ku mjeti i tonazhit të rëndë u përplas me një makinë tjetër, në të cilën udhëtonte polici, që fatkeqësisht humbi jetën. I plagosur nga përplasja mbeti edhe 63-vjeçari, që drejtonte skrepin, i cili u dërgua për mjekim në Spitalin e Vlorës. Pas rreth 24 orësh në spital, ai është arrestuar nga policia dhe pritet të përballet me drejtësinë për ngjarjen e rëndë.